Secondary Adv

Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore, në minimumin historik, 18.45 për qind

Zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki u mbyllën me pjesëmarrje minimale historike, shumë më poshtë se zgjedhjet e vitit 2023.

Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore të zhvilluara të dielën në pesë bashki të vendit përfundoi në orën 18:00, me një pjesëmarrje të përgjithshme prej vetëm 18.45%, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Të dhënat janë raportuar nga 383 nga gjithsej 472 qendra votimi. Në total, nga 273,456 zgjedhës të regjistruar në këto qendra, morën pjesë në votim 50,500 persona. Numri i përgjithshëm i zgjedhësve në listat zyrtare për të pesë bashkitë ishte 334,500.

 

Pjesëmarrja më e ulët në qytetet e mëdha

Interesi për votim ka qenë dukshëm më i ulët në bashkitë më të mëdha si Vlora dhe Berati, ndërsa zonat më të vogla si Mati dhe Tepelena shënuan përfshirje më të lartë të votuesve. Në Vlorë morën pjesë 18,111 votues nga 144,440 zgjedhës, me pjesëmarrje prej vetëm 12.54%. Në Berat votuan 13,492 nga 68,123 zgjedhës (19.81%), ndërsa në Cërrik 8,108 nga 32,686 (24.81%). Më aktive ishin bashkitë Mat dhe Tepelenë, me përkatësisht 39.23% dhe 34.63% pjesëmarrje.

 

Rënie krahasuar me zgjedhjet e 2023

Krahasuar me zgjedhjet e rregullta vendore të vitit 2023, ku pjesëmarrja në rang kombëtar ishte rreth 38%, këto zgjedhje shënojnë rënie të ndjeshme të interesit të qytetarëve. Sipas KQZ, zgjedhjet e pjesshme u zhvilluan në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë pas krijimit të vakancave për shkak të dorëheqjeve, shkarkimeve apo marrjes së mandateve të tjera publike nga ish-kryetarët e bashkive. Zgjedhjet e parashikuara në Tiranë u anuluan pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë kryebashkiakut aktual Erion Veliaj.

 

Proces pa incidente

KQZ bëri të ditur se procesi zgjedhor u zhvillua qetësisht dhe pa incidente të raportuara, ndërsa numërimi i votave nisi menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit. Pavarësisht zhvillimit normal të procesit, interesimi i ulët për pjesëmarrje ngre shqetësime mbi rritjen e apatisë elektorale dhe besimin në proceset lokale.

 

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat